Kurti: Thaçi e Vuçiqi po sillen si dy monarkë të Mesjetës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, e konsideroi një lojë të rrezikshme diskutimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me korrigjimin e kufijve në raportin Kosovë-Serbi.
Takimet e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me homologun serb Aleksandër Vuçiqin sipas Kurtit janë ilegale sepse presidenti ka shkuar pa mandatin e Kuvendit në takime ndërsa sipas tij liderët kanë filluar t’i ngjajnë monarkëve të vjetër që diskutojnë për territore si të ishin personale.
“Na ka mbet vetëm që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiqit dhe të kthehemi si para pesë shekujve”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, dialogu me Serbinë po bëhet mbrapsht meqë sipas tij Kosova duhet të listojë kërkesa ndaj Serbisë duke qenë viktimë në luftën me këtë të fundit.
“Është rëndësishme ta përpilojmë listën me kërkesa për Serbinë sepse ajo na ka shumë borxh. Këto orvatje të presidentit janë sulm mbi shtetësinë tonë. Ai i cili e kërkon i pari shkëmbimin territorial ai heq dorë nga një pjesë e territorit të vet… Kanë heq dorë nga veriu e Luginën nuk kanë me marrë”, ka shtuar ai.
Kurti shtoi se dëshira e Serbisë ka qenë që kërkesa për shkëmbim territorial të jetë e Kosovës ndërsa theksoi se presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq veçse janë marrë vesh lidhur me territore.
“Nuk mjafton Kuvendi i Kosovës për të ndaluar këtë. Ne kemi një president që s’kalon rezolutë pa shkelur. Është moment vendimtar, duhet t’i kthehemi forcave tona dhe t’i ndërprejmë këto pazare me Serbinë. Duhet të kalohet mbi fazën e lapsave të Thaçit dhe Vuçiqit përmbi hartat me tokat tona”, theksoi Kurti.
Këto deklarata ai i tha në tryezën “Loja me Kufij: Luftë apo Zgjidhje në Ballkan?” që po transmetohet në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.
Në të u diskutua diskutohet për qëndrimin e partive politike të Kosovës rreth kësaj ideje, koston e një opsioni të tillë për Kosovën si dhe të ardhmen e aseteve ekonomike e strategjike të Kosovës që gjenden matanë lumit Ibër.