Kurti: Thaçi nuk guxon të nënshkruajë marrëveshje me Vuçiqin pa mandat të Kuvendit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka thënë se edhe pas nëntë muajve nuk ka korrigjim të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi.
Megjithatë ai ka thënë se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, e ka inkurajuar Thaçin për aventurën e tij për pazare territoriale me Serbinë, në emër të një demarkacioni të ri me të, të një korrigjimi tjetër nga i cili ne sërish dalim humbës.
“Haradinaj i dha 8.200 hektarë për ulësen e kryeministrit. Thaçi e jep veriun për ulësen e presidentit, ndërkohë që shtiret se kjo është për ulësen e Kosovës në OKB. Territor për karrigë, gjithsesi. Territor shteti për karrige pushteti. Mirëpo, kot bredh Thaçi poshtë e lart si paparazzi. Derisa ai nuk ka mandat legjitimues nga Kuvendi dhe as ekip negociator nga Qeveria, nuk do të guxojë të nënshkruajë marrëveshje me Vuçiqin”, ka deklaruar Kurti në një konferencë për medie.
Ai i ka bërë thirrje AAK-së e Nismës që të mos formojnë ekip negociator i cili do t’i shërbente Thaçit për të dëshmuar para faktorëve ndërkombëtarë se ai nuk është i vetmuar.
“Thaçi është dhe duhet të mbetet i vetmuar. Në protestën e 29 shtatorit u dëshmua që populli ynë nuk i nënshtrohet këtij njeriu. Çfarëdo ekipi negociator tash, vetëm sa i jep hov negociatave, dhe shërben si dhjam për arushën, si imunitet për presidentin në këtë aventurën e tij me agjendë serbo-ruse”, ka theksuar ai.
Ai ka prezantuar alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje për bisedime me Serbinë e cila përbëhet nga katër hapa.
/Epoka e re/