Kurti: Thaçi po i kthehet kohës kur fliste për kompromis të dhimbshëm
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke iu referuar fjalimit të mbrëmshëm të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se ky i fundit ka dalë nga vetmia e madhe dimërore.
“Pra, Thaçi po i kthehet gjuhës së verës 2018, para protestës madhështore e masive të 29 shtatorit, po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”
Postimi i plotë i Kurtit:
Të gjithë njerëzit e presidentit
Në fjalimin e tij të mbrëmshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Thaçi tregoi se ka dalë nga vetmia e madhe dimërore.
Ai tha: “Në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë. Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.”
Për të vazhduar me: “Ne jemi gati për dialog. Ne jemi gati për vendime të vështira. (…) E di që nuk do të jetë aspak e lehtë. E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore. Por, ato janë të domosdoshme. (…) Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike.”
Pra, Thaçi po i kthehet gjuhës së verës 2018, para protestës madhështore e masive të 29 shtatorit, po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’.
Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’ dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës.
Votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës.
/Epoka e re/