Kurti: Thaçin e Haradinajn i ndan taksa, por i bashkon korrupsioni
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për medie, ka thënë se presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, i ndan taksa ndaj Serbisë, kurse sipas tij ata i bashkon korrupsioni.
“Kryeministrin dhe presidentin e Kosovës i ndan taksa ndaj Serbisë, por i bashkon korrupsioni në Kosovë. Dhe, ajo që i bashkon është më e fuqishme sesa ajo që i ndan, meqë po rrinë bashkë në pushtet. Prandaj, këta duhet të shkojnë bashkë. Ne kërkojmë dorëheqjen si të presidentit, ashtu edhe të kryeministrit. 100 ditë në vitin 2004 Haradinajt mund t’i jenë dukur pak për ta treguar veten, mirëpo këto gati 600 ditë në vitet 2017, 2018 dhe tash 2019, janë tepër shumë për të pasur çfarëdo dilema rreth tij. Korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse investimet, rendimentet dhe arsimi po bien. Mbi të gjitha, po shtohet hajnia e po zvogëlohet durimi”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se nga nesër do të fillojnë me tubimet me qytetarë kundër koalicionit PAN.
“Prej ditës së nesërme fillojmë me tubime me qytetarë, kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja. Në ora 14:00, në sheshin ‘Adem Jashari’, nesër, pra të premten, jemi në Vushtrri. Pasnesër, të shtunën, në ora 13:00, në Besianë (Podujevë), kurse në ora 15:00, në Mitrovicë. Vazhdojmë pastaj për çdo ditë anembanë nëpër qytetet e qytezat e Kosovës”, është shprehur Kurti.
/Epoka e re/