Kurti, thirrje ndërkombëtarëve: Të intensifikohet dialogu për zbatim të marrëveshjeve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje sot, Kurti ka thënë se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Por rruga për shtensionim në veri, sipas tij, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga atje, raporton EO.
“Kosova i qëndron pas ShBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të marrëveshjes bazike”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.
“Këta [kryetarët e tanishëm] kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar ai.