Kurti thotë se Borrelli iu përshtat qëllimit të Serbisë: Braktisi disa propozime paraprake

23 nëntor 2022 | 12:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin e fundit që pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se ndërmjetësi i këtij takimi, Josep Borrell, e ka braktisur propozimin që të ndalojë regjistrimin e targave ilegale për serbët në veri, për të cilën, sipas shefit të ekzekutivit, ishte dakorduar paraprakisht.

Një deklarim të këtillë Kurti e ka bërë me dije në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, duke dhënë detaje për takimin tetë-orësh që kishte në Bruksel.

“Ftesa e Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafe. Në paragrafin e parë bëri ftesë për përqendrim me urgjencë me propozimin e BE-së, për normalizim të marrëdhënieve. Në të tretin, bëhej thirrje menjëherë që të arrihej një marrëveshje para marsit të vitit 2023. Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave”.

“Përgjatë tetë orëve i zhvilluam gjashtë takime. Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimet e ndryhsimet të targave. Ne ishim të pajtimit që për t’i dhënë hapësirë BE-së, t’i pezullonim fazën e dytë, kur Serbia të ndalojë së regjistruari targat ilegale. Ky propozim u pranua dhe besoj që ishte një e arritur e rëndësishme e takimit”.

“Pas takimit që patëm atje, i cili pra, gjithsej me këto bisedime zgjati tetë orë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit. Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai, filloi të insistojë vetëm në masën e pezullimit të gjobave për targat. Nevoja urgjente për propozimin evropian u zhduk nga tavolina, duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozim të BE-së, por për targat”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk ka hatërmbetje me BE-në, përkundër gjuhës kritike që ka përdorur ndaj shefit të diplomacisë evropiane.

“E kam thënë dhjetëra herë se Evropa është fati ynë. Integrimi në BE nuk është vetëm bashkim në familjen evropiane, por edhe bashkim me familje tona. Nuk kemi as hatërmbetje as inati. Por, me të vërtetën dhe të drejtën tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Më tutje, Kurti ka zbuluar edhe tentimin e fundit për një marrëveshje në mes të tij dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përpara se të dilte nga objekti i BE-së.

“Ka qenë edhe përpjekja e fundit; emisari Lajçak ka ardhur tek dhoma ku ndodhej delegacioni dhe e bëri edhe një përpjekje të fundit për një tekst që do ta përfshinte edhe propozimin e BE-së. Mirëpo, më pas më njoftoi se presidenti i Serbisë nuk e kishte pranuar atë”, ka thënë Kurti, duke njoftuar se gjatë asaj kohe Borrell veçse ishte në konferencë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo është lojtar i lirë, pasi shkëputi kontratën me…