
Kurti thotë se është i gatshëm të takohet me Vuçiqin, flet edhe për vizat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kurdo që të caktohet takimi i radhës.
Ai ka deklaruar se në takimin e sotëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe zbatimin e asaj për energjinë në veri.
“Kur të na thërrasin jemi të gatshëm që të zhvillojmë takimin e radhës, por në ndërkohë duhet të vijmë në arat që punohen, në çerdhet që na dhurohen. Jeta vazhdon”.
“Gjithmonë i kemi dy tema kryesore, e para është korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta janë çështjet aktuale. Në çështjet aktuale kryesorja për neve është zbatimi i marrëveshjes së energjisë, në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të fillojë inkasimi për energjinë e konsumuar, sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë. Prandaj tek çështjet aktuale fokusi ynë është zbatimi i marrëveshjes për energjinë që edhe atje të paguhet energjia elektrike. Që është e domosdoshme për ekonominë tonë dhe për ligjet tona”, ka thënë Kurti pas vizitës në Miresh të Gjilanit.
Ai është pyetur edhe për liberalizimin e vizave, për çfarë ka theksuar se kjo temë diskutohet në një instancë tjetër.
“Çështja e vizave diskutohet në një instancë tjetër. Ajo çfarë kemi diskutuar ne është progresi i Kosovës në raportin e progresit edhe sa i përket rajonit të Ballkanit jemi shumë mirë, më mirë se shumica. Gjithashtu edhe sa i përket raporteve të mëhershme të progresit jemi shumë më mirë”, ka përfunduar ai. /Ksp