Kurti thotë se intervenimi në Siri ishte i nevojshëm
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se sulmet ajrore në Siri, nga ShBA, Britania dhe Franca kanë qenë të nevojshme, së paku për t’i ndalur kapacitetet e tyre luftarake që po i përdorin për të masakruar popullin e vet.
“Duam paqen, e nuk gëzohemi për asnjë luftë, mirëpo agresioni mizor ndaj civilëve nuk mund të na lërë indiferentë, sidomos neve që e kemi parë e pësuar vetë, në Kosovën tonë. Dëshira jonë do të ishte zgjidhja përmes rrugëve paqësore, përmes diskutimit e bashkëpunimit, por etja e diktatorëve për pushtet nuk i lejon këto. Prandaj ishte e nevojshme ndërhyrja, së paku për t’i ndalur kapacitetet e tyre luftarake që po i përdorin për të masakruar popullin e vet”, ka shkruar Kurti në profilin e vet në “Facebook”.
Ai ka uruar që të marrë fund sa më shpejt katastrofa njerëzore në Lindjen e Mesme dhe sa më pak viktima.
“Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikëbërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë”, ka shkruar Kurti.