Kurti thotë se Kosova duhet ta ketë një bankë investive zhvillimore
Nevojitet një komunikim më i madh ndërmjet përfaqësuesve të sektorit privat dhe deputetëve të Kuvendit, me qëllim të informimit më të mirë të dyanshëm dhe harmonizimit të pikëpamjeve lidhur me politikat që mundësojnë fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e ndërmarrësisë.
Kjo u tha gjatë një takimi të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka njoftuar Kurtin me prioritetet avokuese të Odës Amerikane për vitin 2018, të cilat kanë për synim krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërit biznes në Kosovë dhe nxitjen e investimeve në Kosovë.
Ai ka thënë se përkundër disa zhvillimeve pozitive në aspektin e politikave fiskale, ende mbetet shumë punë për të bërë, derisa shprehu shqetësimin e Odës Amerikane lidhur me nivelin jo të kënaqshëm të dialogut ndërmjet sektorit publik dhe privat.
Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se është e nevojshme që Kosova të ketë një bankë investive zhvillimore e cila do të mbështeste projektet ndërmarrëse në vend, por edhe shfrytëzimin më të mirë të potencialeve të mërgatës në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ai po ashtu foli edhe për domosdoshmërinë e forcimit të prodhimtarisë vendore, marrë parasysh deficitin e lartë tregtar me të cilin përballet vendi.
Bashkëbiseduesit u pajtuan lidhur me nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet asociacioneve të biznesit dhe grupeve parlamentare, përmes pjesëmarrjes aktive në diskutimet publike që organizohen në kuadër të Kuvendit të Kosovës.
/Epoka e re/