Kurti thotë se Kosova i pret me krahë të hapur mërgimtarët
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në lansimin e platformës dedikuar mërgatës, “Shijo Kosovën”.
Në fjalën e tij, kryeministri, duke i uruar mirëseardhje mërgatës tha se, “si çdo verë, Kosova i pret me krahë të hapur dhe me zemër të mbushur plot dhe se rikthimi i tyre në atdhe, në shtëpitë e tyre, shënon një moment të veçantë, simbolizon lidhjen e përjetshme midis nesh dhe jush, aq të fortë saqë nuk kemi dy palë, por jemi i njëjti popull”.
“Si mërgatë, ju keni luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe vazhdoni të luani sa i përket zhvillimit ekonomik e social, politik e kulturor të Kosovës’’, u shpreh kryeministri.
Në këtë vit, kryeministri njoftoi se kemi arritur një nivel tjetër të bashkërendimit dhe bashkëpunimit me bashkatdhetarët. Idetë e tyre për të ofruar mënyra inovative për përfshirje të diasporës në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës kanë filluar të marrin formë, dhe shumë programe janë zhvilluar duke pasur në mendje idetë dhe sugjerimet e tyre; programe sikurse Programi për Diplomaci Qytetare dhe Java e Kulturës në Kosovë.. Dhe për këtë, kryeministri i falënderoi përzemërsisht!
E tash, tha më tej ai, edhe platforma “Shijo Kosovën” këtë vit përfshinë shumë më shumë aktivitete, partnerë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm duke e bërë këtë platformë bashkë-udhëtar të rëndësishëm të qëndrimit tuaj në Kosovë, jo vetëm gjatë verës, por gjatë tërë vitit.
Në këtë pritje, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla-Schëarz, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrat Daulina Osmani nga Ministria e Kulturës. Rinisë dhe Sportit, përgjegjëse për sportin, Getoar Mjeku nga Ministria e Ekonomisë, dhe Agon Dobruna, nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve.