Kurti thotë se Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për investime në energji
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përmbylljes së procesit ofertues për Ankandin Solar Fotovoltaik prej 100 megavatëve, ka deklaruar se Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për të investuar në energji elektrike.
I pari i ekzekutivit theksoi se kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti dhe se çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Në ankandin elektronik për projektin e parë solar prej 100 megavateve, ai tutje tha se si qeveri synojnë të punojnë dhe të krijojnë një sektor energjetik që është i sigurt e që vendos qytetarin e Kosovës në qendër.
“Pesë kompani nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova, të gjitha lidere të sektorit, asnjëra këtu nuk është rastësisht. Përgjatë më se një viti, institucionet e Kosovës të udhëhequra nga Ministria e Ekonomisë, kanë punuar me mund dhe nder për të zhvilluar një proces transparent dhe të barabartë. Rezultatet e kësaj pune tashmë po i gëzojmë jo vetëm me përmbylljen e ankandit tonë të parë, por me përforcimin e statusit të vendit tonë si destinacion i preferuar për investime në energji, falë politikave stabile të ambientit të sigurt për të bërë biznes. Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale”, u shpreh Kurti.