Kurti thotë se me reformën e re zgjedhore lehtësohet votimi për diasporën
Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur miratimin e draftit të reformës zgjedhore nga Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë, që është në kuadër të Kuvendit.
Ai në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka thënë se ky draft i miratuar shumë shpejt do të shkojë për shqyrtim edhe në qeveri.
Kurti ka shtuar se me ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet do të ketë shumë lehtësime për votimin e diasporës.
“Dua ta shpalos një dimension të veçantë dhe ka të bëjë me votimin e mërgatës në Kosovë. Ky ndryshim i jep fund një padrejtësie të mërgatës, votuesit nga mërgata janë përballur me dy sfida, regjistrimi i tyre ka përfshirë procedura të komplikuara dhe burokraci, si dhe afatet për dërgimin e fletëvotimeve me postë kanë qenë të shkurta, krahas kostos së lartë financiare”.
“Sipas draftligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare bashkatdhetarët do të votojnë online, ngjashëm si në shembullin e shërbimeve që kryhen në platformën ‘E-Kosova’. Ata do të kenë tri opsione, i pari votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në ambasada apo konsullata, dërgimi i fletëvotimeve me postë ku e cakton ambasada vendin, si dhe opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër duke i dërguar fletëvotimet me postë në KQZ për vendet që Kosova nuk ka ambasadë dhe konsullatë ende”, ka thënë Kurti.