Kurti thotë se në zgjedhjet lokale do të ndodhë fitorja masive e Vetëvendosjes

10 prill 2021 | 14:29

Dje u mbajt mbledhja e Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën mori pjesë kryeministri, njëherit kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi, koordinatori i Qendrave në Kosovë, Valon Hoti dhe koordinatorja e Qendrave në Mërgatë, Lirika Komoni.

“Në këtë mbledhje Kurti ka njoftuar përfaqësuesit e Qendrave të Lëvizjes me rrjedhën e kompletimit të formimit të institucioneve shtetërore në këtë fazë dhe masat e nevojshme e të menjëhershme të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit Covid-19, fokusin e qeverisjes tonë për rimëkëmbjen ekonomike të nevojshme në këtë kohë krize ekonomike, si dhe zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat na presin në vjeshtën e këtij viti”, ka njoftuar LV-ja.

Sipas këtij njoftimi, u diskutua po ashtu edhe për ecurinë e zgjedhjeve të 14 shkurtit, për fitoren plebishitare të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i shtabeve lokale në Qendrat e LV-së.

“Në këtë takim virtual u theksua domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit për zgjedhje, ndryshim ky i cili do ua mundësonte qytetarëve tanë të cilët jetojnë jashtë vendit votimin në ambasada e konsulata. Kjo veçanërisht marrë parasysh pengesat e mëdha të cilat po ua pamundësojnë shumë qytetarëve realizimin e një të drejte themeltare demokratike, atë të votimit”.

“Ndryshimit të madh që ndodhi përmes referendumit gjithpopullor në nivelin nacional, në vjeshtën e këtij viti do t’i bashkërendohet edhe fitorja masive në komunat e Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë, përveçse e nevojshme, është edhe e domosdoshme për t’u kompletuar ndryshimi i gjithmbarshëm”, theksohet në njoftimin e LV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur një konferencë në…