Kurti thotë se numri i të rinjve të punësuar këtë vit ishte mbi 60 mijë
Nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të mëkurën është mbajtur Konferenca Për Rininë 2023.
Në këtë konferencë u prezantua politika e re qendrore karshi rinisë, dhe gjatë të cilës pati sesione interaktive, demonstrime dhe diskutime.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij ka kujtuar Muajin e Rinisë në gusht të këtij viti, Panairin e Punës e sukseset e rinisë në film, art, sport, biznes e teknologji.
Ai ka thënë se roli i shtetit është ta përcjellë talentin dhe potencialin me mbështetje direkte, siç është edhe Strategjia Shtetërore për Rininë.
“Me Strategjinë Shtetërore për Rininë, kemi hartuar dokumentin kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri e institucion ka përcaktuar rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, është edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale për rininë, për herë të parë në vendin tonë”, u shpreh kryeministri.
Pavarësisht vështirësive dhe defekteve në sistemin arsimor, kryeministri Kurti tha se janë duke punuar në reforma, siç është arsimi dhe aftësimi profesional, arsimimi falas në nivelin e lartë publik dhe dhënia e bursave për notë mesatare të lartë, pesë mijë bursave tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, si dhe bursave për vajzat në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe të matematikës.
Tutje, kryeministri përmendi se në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 të rinj të punësuar, kurse në fund të korrikut sivjet 2023, numri i të punësuarve ishte 60,884, arritje kjo mundësuar edhe përmes platformës së punësimit SuperPuna, programit “Kosova Generation Unlimited”, dhe programit “Komunat për të rinjtë”. Ndërkaq Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren dhe Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bernicë i cilësoi hapësira të veçanta për kreativitet dhe inovacion.
“Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare EYCA, do të sjellë benefite brenda dhe jashtë Kosovës për të gjithë të rinjtë tanë, pa dallim, nën moshën 30-vjeçare”, tha kryeministri, teksa shtoi se me liberalizimin e vizave, dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, janë në prag të mobilitetit të shtuar dhe lidhjes më të afërt me Evropën.
Sipas tij, nëpërmjet programeve në shkolla publike, po bëjnë shtrirjen e artit, sportit dhe vullnetarizmit për gjeneratat e reja në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Skenderajt, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt dhe Kamenicës.
“Unë jam i bindur se nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të bëjmë si qeveri se sa të përgatisim gjeneratën e ardhshme për zhvillim e për udhëheqje të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Kurti, duke u bërë thirrje të rinjve të kujdesen e të punojnë bashkë, për t’i ndihmuar vetës, njëri-tjetrit dhe shtetit.
I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.