Kurti thotë se Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Millan Radoiçiq, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media së bashku me ministrin e tij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kurti, pa dhënë dëshmi, tha se sulmet e reja po përgatiten nga pjesëtarët e grupit që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues.
Sipas Kurtit, Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj, ndërkaq bashkëshortet e tyre, që gjenden në Kosovë, po punësohen, në mënyrë, që sipas tij, të mos ketë pakënaqësi.
Ai përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit.
Kurti tha se kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoiqit.
“Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë, bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti.
Sipas tij, automjetet dhe armët e përdorura në Banjskë, janë dërguar në kompaninë Novi Pazar Put.
Kurti pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.
Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti, duke thënë se ky grup përbëhet prej njerëzve të besueshëm të Radoiçiqit.