Kurti thotë se shumë shpejtë do të formohen institucionet e reja
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, kanë pritur sot në takim koordinatoren për Zhvillim nga zyra e OKB-së në Prishtinë, Ulrika Richardson dhe udhëheqësin e zyrës së saj, Lorik Pustina.
Richardson ka uruar kryetarin Kurti për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor si dhe ka shprehur dëshirën që sa më parë të formohen institucionet e reja në mënyrë që t’i hapet rrugë bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore.
Sipas komunikatës së LV-së, Richardson e ka njoftuar Kurti se prioritet i UNKT-së është partneriteti me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, bashkëpunimi për programet e shtyrjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) në Kosovë si dhe mbështetja e projekteve zhvillimore të qeverisë së re në të ardhmen.
Ndërsa Kurti e ka falënderuar koordinatoren Richardson për urimin dhe vizitën, duke shprehur bindjen se shumë shpejtë do të formohen institucionet e reja dhe do të vendosen marrëdhëniet e bashkëpunimit.
“Z. Kurti e njoftoi znj. Richardson me prioritetet e qeverisë së re, për një shtetndërtim demokratik me sundim të ligjit ku luftohet korrupsioni i lartë institucional dhe ku çështje primare është si krijimi i vendeve të reja të punës ashtu edhe zbutja e pabarazive shoqërore përmes politikave sociale. Rëndësi e veçantë, theksoi ai, do t’i kushtohet barazisë gjinore nëpërmjet edukimit, punësimit dhe ofrimit të mundësive të barabarta për gratë. Në fund të takimit, palët u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen”, është thënë në komunikatën për medie të LV-së.
/Epoka e re/