Kurti thotë se ‘vetëmenaxhimi’ gjendet në Konventën e KE-së për mbrojtjen e pakicave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëveshjen e dakorduar në Ohër, për të cilën ka thënë se është dashur të nisë zbatimin qysh dje dhe se për këtë ndërkombëtarët do të duhej ta dënonin Serbinë.
Ai ka folur edhe për çështjen e asociacionit, duke thënë se ai gjendet në Konventën e Këshillit të Evropës (KE) për mbrojtjen e pakicave.
“Do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e komunitetit serb që të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u përmbushur dhe për neve natyrisht – siç kam thënë në Kuvendin e Kosovës – bëhet fjalë për një formulim, i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës”, ka thënë Kurti, duke falënderuar partnerët amerikanë për rolin e tyre në dialog.
Më tutje, ai ka thënë se tani topi është në Serbi dhe jo në Kosovë.
“Në vend se të diskutojmë kur do të nënshkruajë Serbia, kur do ta themelojmë asociacionin. Prandaj, është e rëndësishme t’i qëndrojmë besnikë interesave të Kosovës dhe popullit tonë, sepse ne kemi qenë konstruktivë e kreativë. Të gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tash”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se është i vetmi që në këto takime të Brukselit bën propozime, ndërsa pala tjetër nuk e bën.
“Unë bëj propozime dhe oferta që refuzohen”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, kryeministri Kurti është pyetur nëse kjo marrëveshje e panënshkruar do të shkojë në Kuvend për ratifikim. Në përgjigje, Kurti ka thënë se marrëveshja do të diskutohet në Kuvend, por se s’mund të bëjë marrëveshje me veten.