Kurti tregon arsyet e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend
Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në seancën e sotme gjyqësore është pyetur prej avokates së tij, se pse i ka ndërmarrë veprimet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.
Kurti është përgjigjur duke thënë se veprimet e tij që kanë kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi kanë qenë në kuadër të ushtrimit të funksionit si deputet i Republikës së Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Më 25.10.2015 është nënshkruar marrëveshja për Ascociacionin e komunave me shumicë serbe nga Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq. Më 26.08. 2015 është nënshkruar marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga Thaçi me homologët malazez. Që të dy marrëveshjet janë nënshkruar kur Kuvendi ishte në pushim veror”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, ka vepruar në këtë mënyrë sepse Kosovës ia është kërcënuar bosnjëzimit. “Ne nuk kemi pasur dilemë që në shekullin 21, Serbia po përpiqej ta bënte Serbinë e Madhe me shumë Serbi të vogla rrotull saj. Ky është imitimi i modelit rus, ku Federata Ruse ka shumë satelitë, në fqinjësi në formën e parashteteve vazale. Edhe në Kosovë po na kërcënonte bosnjëzimi. As nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër Serbisë, sepse ajo është kundër nesh edhe si shtet edhe si popull, kjo është arsyeja themelore, që ne nuk kemi dashur ta lejojmë normalizimin e asaj marrëveshje përmes Kuvendit”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe marrëveshja për demarkacionin ka qenë e gabueshme.
“Marrëveshja e kufirit për Malin e Zi, kemi konsideruar se ujëndarja si kriter natyror dhe kontrolli efektiv si kriter politik, i paraprin çfarëdo kriteri kadastral. Nuk mund të lejonim një marrëveshje të tillë të bëhej fakt i kryer në institucionet e Republikës. Ka qenë gabim i pafalshëm që pala kosovare ka pranuar që ne ta kemi barrën e provës, për të dëshmuar se toka jonë është territor i yni”, është shprehur ai.
Ai ka vlerësuar se deputet janë munduar në mënyra të ndryshme ti pengojnë këto marrëveshje.
“Kemi praktikuar padëgjueshmërinë parlamentare, sepse nuk mund te silleshim që diçka normale ngjau me 25 -26 gusht të vitit 2015. Kemi provuar me pipa, me ujë, me vezë. Kemi provuar edhe me gaz lotsjellës, që të mos e normalizojmë Zajednicën e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.