Kurti tregon kushtet e tij për zgjedhje të reja në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premtën ka dhënë një intervistë për televizionin amerikan NBC ku ka folur rreth situatës në veri të Kosovës dhe është pyetur për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.
Kurti ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen, por fillimisht, bandat e dhunshme në veri duhet të vihen para drejtësisë ose duhet të kthehen në Beograd.
“Sigurisht, kryetarët që fituan zgjedhjet kanë legjitimitet të vogël sipas pjesëmarrjes së vogël por ne kemi bërë thirrje për të gjithë qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje por Beogradi ka bërë thirrje ka shantazhuar e kërcënuar për mospjesëmarrje. Kanë legjitimitet të vogël, por janë të vetmit që kanë legjitimitet. Ne fillimisht duhet të kemi sundimin e ligjit në vend, por këto banda që kanë marrë pjesë në këto protesta të dhunshme fillimisht duhet të dalin para drejtësisë dhe të krijohet mundësia për zgjedhje të rregullta”, tha Kurti.
Më tutje, ai ka deklaruar se Beogradi nuk dëshiron pluralitet politik.
“Beogradi dëshiron që vetëm Lista Serbe t’i përfaqësojë pakicat dhe nuk mund të ketë demokraci pa pasur pluralizëm. Komuniteti ndërkombëtar mund të na ndihmojë që serbët lirshëm të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhje.”, tha Kurti.