Kurti tregon se çfarë bisedoi në takim me Mustafën
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuti, ka treguar se në takimin me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ka biseduar për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se më 22 gusht të dy grupet parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin dhe për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike.
“Ky ishte takimi i parë me prof. Isa Mustafën pas rizgjedhjes së tij kryetar i LDK-së. I urova punë të mbarë dhe shëndet. Biseduam për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike, për nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit. Me 22 gusht dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike. Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët, për një të ardhme me drejtësi e përparim”, ka shkruar Kurti.
/Epoka e re/