Kurti: Trendi i ikjes do të ndalet përmes shtetit solidar dhe shtetit social
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para qytetarëve të Therandës ka premtuar se në qeverisjen e tij do të ndalet trendi i ikjes se qytetarëve përmes shtetit solidar dhe shtetit social.
Ai ka bërë me dije se do të ofroj punësim të garantuar për një anëtar të familjes për çdo familje në skemë sociale. “Me qeverinë e re të rinjtë nuk do e lidhin më besën me partinë, por kontratën me kompaninë dhe trendi i ikjes do të ndalet përmes shtetit solidar dhe shtetit social. Ne do të ofrojmë punësim të garantuar për një anëtar të familjes për çdo familje në skemë sociale. Do ta ndajmë mirëqenien duke paguar deri në 240 euro në vit për fëmijët nën 2 vjeç, e 120 euro në vit për fëmijët nën 16 vjeç, dhe do të heqim tatimin për të ardhurat deri në 300 euro sepse askush nuk duhet të paguaj për të mbetur gjallë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se Theranda duhet të ketë ujë e trotuare, parqe e sheshe publike, duke shtuar se këto do të bëhen përmes grantit të katërt për komuna në vlerë prej 600 milionë eurosh, që do e ndajë qeveria e re.
Kurti ka treguar se edukimi do të lidhet me kërkesat e tregut në mënyrë që çdo i diplomuar ta gjej një vend pune dhe e gjithë kjo do të mbështetet edhe prej investimeve të Bankës Zhvillimore në industrinë prodhuese dhe përpunuese që do i zëvendësojë importet.
Kandidati i LV-së për deputet, Salih Zyba, ka thënë se ato pak prona e ndërmarrje që i mbijetuan luftës nuk i mbijetuan pasluftës së privatizimeve nga partitë që udhëheqin vendin për 20 vite. Ai ka deklaruar se këto parti që kanë shkatërruar ekonominë, arsimin, shëndetësinë e drejtësinë po shkojnë për mos t’u kthyer më.
Ndërsa, doktoresha Drita Kabashi ka folur për atdhedashurinë dhe shëndetësinë. Ajo ka deklaruar se dashuria për atdheun dhe njerëzit në Kosovë ja shtyu ndjenjën e detyrës për t’u kthyer dhe shërbyer në vendin e saj. Sipas saj, me qeverinë e re të udhëhequr nga Kurti do të ketë sigurime shëndetësore dhe trajtim profesional dhe njerëzor për qytetarët e vendit pa diskriminim.