Kurti u bën thirrje bizneseve që të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë

07 maj 2024 | 12:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje bizneseve që ta forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin me qeverinë.

Ai ka thënë të martën se qeveria e suksesshme e ndihmon sektorin privat, e sipas tij, konkurrueshmëria ekonomike “do të sjellë prosperitet dhe mirëqenie”.

“Kur një afarist ekonomik dhe një zyrtar publik ulen për një diskutim ata të dy e kanë vështrim në gjëra të ndryshme. Afaristi është i interesuar për fitim në fund, ndërsa zyrtari publik doemos për politikat më sektorin e biznesit. Është një rikujtim i mirë që në mund ta mësojmë nga njeri-tjetri. Është thelbësore të kuptojmë se si një dialog publiko-privat mund ta transformoj ekonominë tonë”, ka thënë Kurti gjatë takimit në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Kurti si kryetar i këtij këshilli, ka thënë se janë identifikuar 6 miliardë investime nga BE-ja në infrastrukturë të re dhe për ta përmirësuar atë aktualen.

“Me kalimin e kohës ne do të bashkërendisim dialogun tonë në mënyrë që qeveria dhe sektori privat të kenë qartësi se si të përmirësojmë të bërit biznes. Një dialog i fuqishëm publiko-privat forcon besimin ndërmjet sektorit privat dhe publik. Besimi është armatura në themelin tonë ekonomik. Përmes dialogut ne identifikojmë mundësit e sektorit privat. U bëj thirrje bizneseve që të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë. Ne po lëvizim për të hequr licencën e eksportit për produkte farmaceutike një pengesë kjo jotarifore që vështirëson biznesin për shumë vite me radhë”, ka thënë ai.

Ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka folur për fondin që ndahet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se Kosova mund të përfitojë 945 milionë euro. Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar projektet që kjo ministri ka ndërmarr në kuadër të energjisë.

“Së pari dua të filloj të flas për skemat që i kemi pasur gjatë muajt të fundit për efiçiencë të energjisë. Në fund të vitit të kaluar kemi hapur skemën për subvencionim të pajisjeve efiçinete për ngrohje për biznese. Kemi pasur mbi 100 aplikime dhe diku rreth 30 për qind të përfituesve kanë qenë pronare biznese të grave. Më 6 shkurt kemi shpallur thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë, por edhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për investime në sisteme të energjisë së ripërtitshme. Skema të financuar këto nga BE-ja, thirrjet janë të hapura ende dhe granti mund të arrijë deri 6 mijë euro, varësisht nga madhësia e sistemit dhe ju inkurajoj që t’i përcjellni informatat dhe t’i inkurajoni bizneset që të aplikojnë”, është shprehur Rizvanolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igli Tare është vlerësuar në “Gran Gala del Calcio” duke…