Kurti u bën thirrje për bashkëpunim komunave dhe ASK-së për regjistrimin e popullsisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje sot kryetarëve të komunave të Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të bashkëpunojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili fillon sot dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj.
Gjatë një takimi me kryetarët komunalë në Prishtinë, Kurti tha se “angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për t’i adresuar nevojat e qytetarë pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës”.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të përfshijë edhe një pyetësor, cili do t’u mundësojë qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta gjatë viteve 1998/1999.
“Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, pronat e shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, zhdukur, plagosur apo të burgosur. Kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999”, tha Kurti.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha që regjistrimi i popullsisë do të bëhet duke respektuar parimet e mbrojtës së të dhënave dhe të drejtat e privatësisë.
“Ky proces nuk është vetëm një procedurë burokratike është gur themel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror. Duke regjistruar me saktësi informacionin demokratik, ne do të kuptojmë dhe do t’i shërbejmë më mirë qytetarëve tanë”, tha Krasniqi.
Ky do të jetë regjistrimi i parë i popullsisë prej vitit 2011 dhe për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në veri të Kosovës.
Megjithatë, Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë.