
Kurti u bën thirrje shteteve myslimane ta njohin Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për“Arab News”, me seli në Arabinë Saudite i është drejtuar me një mesazh vendeve myslimane që ta njohin Kosovën, duke thënë se qëndrimi aktual i tyre është i gabueshëm dhe i shkon përshtati Serbisë me apo pa qëllim.
Ai ka thënë se një qëndrim i tillë i këtyre shteteve ndaj Kosovës vjen si rezultat i dezinformatat serbe dhe se disa shtete vazhdojnë të mbajnë ende lidhje të ngushta me Rusinë.
“Ne mendojmë që është një gabim i madh që disa vende me shumicë myslimane të popullatës nuk e njohin Kosovën. Unë mendoj që ato janë dezinformuar nga Serbia. Dhe disa nga to e bëjnë këtë sepse vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta me Federatën Ruse”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti u ka bërë thirrje këtyre vendeve që ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës, për hir të vendosjes se paqes dhe një sigurie afatgjate.
“Megjithatë, unë do t’iu kërkoja të gjitha vendeve në botë, për hir të paqes afat-gjate, sigurisë së qëndrueshme dhe njohjes së të drejtave të popullit për liri dhe vetëvendosje, që ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në këtë intervistë, Kurti ka folur edhe për vendimin e Kosovës për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit pas marrëveshjes së Uashingtonit që i solli Kosovës një nga njohjet më të rëndësishme të pavarësisë.
Kurti ka thënë se një vendim i tillë s’ka të bëjë me asnjë lloj hakmarrje për qëndrimin e Palestinës për të mos e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Ajo s’ka të bëjë asgjë me qëndrimin tonë për popullin e Palestinës dhe kauzën e tyre. Ne duam të kemi raporte të mira me Palestinën, me autoritetin e Palestinës dhe gjithashtu edhe me popullin e Palestinës”, ka Kurti.
Intervista e plotë: KËTU