
Kurti u dërgon veteranëve ftesë për takim nesër, ata kërkojnë ndërprerjen e seancës
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë me dije se kanë pranuar ftesë zyrtare nga kryeministri Albin Kurti për tu takuar nesër (e premte) në orën 9:00.
Ai ka thënë se kërkesa e tyre që nga mëngjesi është që të mos mbahet seanca. Protestuesit kanë bërë thirrje që takimi të mbahet sot.
Klinaku ka thënë se në oborrin e Kuvendit do të qëndrojnë derisa të ndërpritet seanca.
“E morëm një ftesë zyrtare për takim me kryeministrin, ministrin e Financave dhe një anëtar të Komisionit për Buxhet dhe Financa për takimin nesër në ora 09:00. Kjo është një kërkesë e jona sepse ne takimeve nuk ju kemi ik asnjëherë. Po kërkesa jonë qysh në mëngjes kur e kemi filluar protestën ka qenë që të ndërpritet seanca. Kemi thënë që të mos mbahen kurrfarë seancash derisa këta e kanë shkel ligjin. Derisa të ulemi të bisedojmë, ta kthejmë ligjin më vend ku ka qenë, ne do të qëndrojmë këtu. Këta duhet ta ndërprenë seancën e sotme”, ka thënë Klinaku.