Kurti: U futa në dialogun me Serbinë sepse organizohet nga BE-ja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Dubrovnik të Kroacisë, ka folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dialog në të cilin kishte thënë se s’përfshihet pa u plotësuar disa kushte.
Këtu kishte përmendur kërkimfaljen nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë, ndërrimin e Kushtetutës nga Serbia, kthimin e të pagjeturve, pagimin e dëmeve të luftës dhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë Kurti pas uljes në karrigen e kryeministrit të vendit është përfshirë në procesin e negociatave me Serbinë. Kishte thënë se do ta ketë diku poshtë në listën e prioriteteve, derisa përgjatë këtyre dy viteve i është shndërruar në top-prioritet, sidomos muajve e ditëve të fundit.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se është përfshirë në procesin e bisedimeve me Serbinë sepse lehtësimi i bisedimeve organizohet nga Bashkimi Evropian. Këto deklarime Kurti i ka bërë bërë gjatë një samit në Dubrovnik të Kroacisë.
“Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe të ardhmes që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Kurti duke shtuar se i është bashkuar dialogut me Serbinë sepse ai “organizohet nga Bashkimi Evropian, që është lehtësues i bisedimeve”, citohet të këtë thënë Kurti nga Radio Televizioni i Kroacisë.
Një deklaratë e tillë e kryeministrit Albin Kurti vjen në një moment mjaft delikat ku gjendet procesi i negociatave, pas ngjarjeve të fundit në veri dhe pas acarimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.