Kurti u kërkon komuniteteve të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje të martën komuniteteve joshumicë në Kosovë që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, që pritet të fillojë më 1 nëntor, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mënyrë, Kurti ka thënë se qeveria do të mund të bëjë më mirë planifikime se sa shkolla u duhen komuniteteve, sa kilometra rrugë e ku të investojë në ekonomi.
Në një takim me zyrtarë komunalë për Komunitete dhe Kthim, ai ka përmendur edhe disa nga veprimet e qeverisë për komunitetet.
“Qeveria më e mirë është ajo më afër popullit. Jemi mirënjohës që ju kemi si zyrtarë komunalë për komunitete dhe kthim afër qytetarëve tanë. Prandaj e kemi organizuar ketë takim për herën e pestë që ju të keni mundësi t’i shprehni mendimet e juaja. Kemi ndare 3 milionë euro për komunitetet joshumicë. MAPL-ja ka ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore, veçanërisht për komunitetet. Ministria e Mjedisit i ka identifikuar 29 projekte, 9 prej të cilave janë për komunitetet joshumicë. Një e arritur tjetër është edhe njohja e gjuhës rome si gjuhë zyrtare në Prizren. Kemi edhe linjën e re të autobusëve nga Prishtina në Kishnicë dhe Graçanicë, linjë që u hap dje. Prioritet u kemi dhënë edhe vizitave në terren. Regjistrimi i popullsisë do të fillojë më 1 nëntor, është obligim i çdo qytetari që të marrë pjesë në këtë proces. Me informatat që do të mblidhen nga regjistrimi do të kemi mundësi të planifikojmë për nevojat e komuniteteve se sa shkolla na duhen, sa kilometra rrugë dhe ku të investojmë në ekonomi. Kam ardhur të dëgjoj prej juve, për juve dhe për vendin tonë”, është shprehur kryeministri Albin Kurti.