Kurti u mundua ta hiqte përgjegjësinë për doracakët mbi edukimin seksual, del videoja kur Nagavci i lansonte me lëvdata
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i kishte lavdëruar doracakët mbi edukimin seksual ndërsa i lansonte.
Kryeministri Albin Kurti, dje ka përmendur luftën hibride dhe “fushatën e egër propaganduese” që ka thënë se po bëhet ndaj qeverisë pas vërejtjeve që vërshuan për këta doracakë.
Ai ka thënë se çdo pretendim ishte “i pavërtetë”, ndërsa është shprehur se ata ishin hartuar e miratuar gjatë qeverisjeve të kaluara.
Por Nagavci shprehte “nder dhe kënaqësi” kur lansoheshin doracakët për mësimdhënës për edukimin gjithpërfshirës seksualë.
“MAShTI ka bërë një progres drejt përfshirjes së përmbajtjes së edukimit seksual në mënyrë që të shkojë përtej biologjisë dhe riprodhimit, duke i pajisur fëmijët për trupin e tyre, të drejtat e tyre dhe t’i informojë ata për barazinë gjinore, identitetin gjinor dhe marrëdhëniet e shëndetshme, një qasje që shpeshherë është referuar përgjithësisht si edukim gjithpërfshirës seksual”, shprehej ajo.
Videoja nga lansimi i doracakëve është ripublikuar në “Facebook” nga gazetari Lirim Mehmetaj.
Nagavci lavdërohej se doracakët kishin përmbajtje të mirë.
“Duke marrë parasysh sfidat që janë në trajtimin e përmbajtjeve të edukimit seksual, MAShTI me mbështetjen tuaj po i lanson doracakët për mësimdhënës që përfshijnë përmbajtje që mund të përdoren nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë”, thoshte ajo ndër tjerash.
Ministrja Nagavci thoshte se “reformat gjithmonë sjellin risi”, ndërsa konsideronte se lansimi i këtyre doracakëve “ka qenë nevojë e kohës”.