Kurti u premton frankofonëve mbajtjen e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin
Kryeministëri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë ka potencial të plotë për zhvillimin e mësimit të frëngjishtes, por që mbetet ende i pa shfrytëzuar.
Prandaj, ai ka thënë se në pritje të Samitit të ardhshëm të Frankofonisë, i cili do të mbahet në vitin 2026, Kosova synon që të aplikoj sërish për marrjen e statusit me të drejta e plota, dhe në këtë drejtim ai ka theksuar se qeveria dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë punën së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar mësimin e gjuhës frënge në mbarë vendin.
“Në vendin tim si në tuajin, Parlamenti simbolizon luftën tonë të përbashkët për të mbrojtur parimet që burojnë nga modeli më i mirë i shoqërisë që ka ekzistuar ndonjëherë, pra demokracia. Më shumë se kaq në Kosovë ky parlament simbolizon një përpjekje të gjatë për liri drejtësi dhe barazi. Mund të tingëlloi e çuditshme të dëgjoni se sot jemi vetëm një çerek shekulli nga çlirimi i Kosovës dhe më pak se 17 vjet nga pavarësia e vendit tonë. Kosova është një vend ku mund të gjenden vlerat rrënjësore që i ndajmë me botën e frankofonisë”, ka thënë Kurti në seancën solemne të hapjes së Sesionit të 36-të të Asamblesë Rajonale të Evropës (ARE) të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, raporton “EO”.
Më tutje, Kurti ka vënë në pah se përkundër dëshirës për tu avancuar nga anëtare e asocuar në anëtare të plotë të organizatës ndërkombëtare të frankofonisë, Kosova ende nuk ka mundur t’i përmbush të gjitha detyra e nevojshme për të fituar këtë status.
“Është e kuptueshme që jo gjithçka varet nga vendimet e Kosovës duke pasur parasysh që duhet të ketë edhe disa vlerësime politike që lidhen me kriteret e marrëdhënieve të mira fqinjësorë. Jam i bindur se potenciali i plotë i zhvillimit të mësimit të frëngjishtes në Kosovë mbetet ende i pa shfrytëzuar. Prandaj, në pritje të Samitit të ardhshëm të vitit 2026, ku Kosova synon të aplikoj sërish për marrjen e statusit me të drejta të plota qeveria jonë dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar mbajtjen e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin”, ka thënë ai.