Kurti takohet me Stoltenbergun: Prania e NATO-s, e një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel. Ai është pritur sot nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në takim u bisedua për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë. Kryeministri shprehu mirënjohje për rolin historik të NATO-s në Kosovë, dhe theksoi se prania e NATO-s është e një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në vend dhe rajon.
Ai konfirmoi qëllimin dhe aspiratën e hapur të Kosovës për integrim e anëtarësim në NATO, çka do t’i kontribuonte sigurisë së rajonit dhe Evropës, ndërsa falënderoi sekretarin Stoltenberg për ndihmën dhe bashkëpunimin e KFOR-it me institucionet e Republikës së Kosovës në menaxhimin dhe reagimin ndaj pandemisë Covid-19.