Kurti u telefonon asamblistëve të komunës së Medvegjës dhe kreut të KKSh-së
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar biseda telefonike me tre asamblistët shqiptarë të komunës së Medvegjës, Muharrem Salihun, Florim Sahitin e Fehmi Behën dhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.
Kurti i kontaktoi për të biseduar rreth situatës që është krijuar tashmë në shumicën e vendeve të botës me pandeminë COVID-19, edhe për gjendjen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ai u interesua se me çfarë sfida po përballen qytetarët atje dhe se çka mund të bëjë Republika e Kosovës për bashkëkombësit tanë në këto tri komuna shqiptare, njofton Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një njoftimi.
Ai, po ashtu, i njoftoi ata të gjithë që në koordinim me Ministrinë e Financave e Transfereve dhe me Ministrinë e Shëndetësisë t’u ndihmojë shqiptarëve të Luginës për ta tejkaluar sa më lehtë e shpejtë këtë pandemi. Shqiptarët e Medvegjës u ankuan që, përveç pandemisë COVID-19, ata janë duke u përballur edhe me pandeminë e pasivizimit të adresave dhe ç’regjistrimit të banorëve shqiptarë.
“Në Medvegjë janë të regjistruar 1 200 shqiptarë, ndërsa në vitet e fundit rreth 4 000 të tjerë janë ç’regjistruar. Si pasojë e këtij dëbimi të heshtur, Medvegja rrezikon të humbë dygjuhësinë. Qeveria e Kosovës gjithmonë do të solidarizohet me shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe do të jetë pranë tyre gjatë çdo vështirësie”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.