Kurti u uron 20-vjetorin radios ‘Kosova e Lirë’ dhe agjencisë ‘KosovaPress’
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka uruar drejtuesit dhe punëtorët e radios ‘Kosova e Lirë’ dhe agjencisë ‘KosovaPress’ me rastin e 20-vjetorit të themelimit.
Ai ka thënë se 20 vite më parë hapja e këtyre dy mediumeve ka ngrohur zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.
“Edhe minus 17 gradë celsius shkoi temperatura e ultë para 20 dimrave. Mirëpo, në datën 4 janar 1999 seç na i ngrohu zemrat e mendjet themelimi i Radios ‘Kosova e Lirë’ dhe i agjencisë së lajmeve ‘KosovaPress’. Në njërën anë, shqiptarët por edhe të huajt mund të merrnin informacion të dorës së parë nga zonat e luftimeve. Në anën tjetër, UÇK-ja po forcohej me një shtyllë të re përgjatë ngritjes së saj”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Janari i vitit 1999 ishte shumë i ftohtë e me acar. Edhe minus 17 gradë celsius shkoi temperatura e ultë para 20 dimrave. Mirëpo, në datën 4 janar 1999 seç na i ngrohu zemrat e mendjet themelimi i Radios ‘Kosova e Lirë’ dhe i agjencisë së lajmeve ‘KosovaPress’. Në njërën anë, shqiptarët por edhe të huajt mund të merrnin informacion të dorës së parë nga zonat e luftimeve. Në anën tjetër, UÇK-ja po forcohej me një shtyllë të re përgjatë ngritjes së saj.
Zyra e UÇK-së në Prishtinë dhe këto dy medie të UÇK-së bashkëpunuan ngushtë. Përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së, Adem Demaçi, si dhe shefi i shërbimit për informim të kësaj zyre, Bajrush Behrami, u ndanë fizikisht nga ne në vitin 2018 që porsa lamë pas.
Hidhërimi për humbjen e tyre bashkëjeton në zemrat tona me krenarinë e kujtimeve të asaj kohe, që na përditësohen kur festojmë përvjetorë të rëndësishëm, si ky i sotmi, 20-vjetori i agjencisë së lajmeve ‘KosovaPress’. ‘KosovaPress’ u rrit e u profesionalizua dhe u bë një adresë serioze për informacionin e saktë, shumë e nevojshme sot kur jemi të rrethuar nga lajmet e rrejshme e portalet abuzive.
I uroj ‘KosovaPress’-it edhe shumë dekada të tjera të suksesshme, dhe gazetarëve që punojnë aty, u uroj ta mbajnë lart standardin e krijuar deri më tash prej tyre e prej paraardhësve të tyre.
/Epoka e re/