Kurti: Unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me SHBA janë më të fuqishme se kurrë
Kryeministri Kurti i ftuar nga Instituti Kombëtar Demokrat (NDI) foli derisa po pritej të niste konventa e partisë demokratike amerikane ku mohoi se ka dallime në siç i përshkroi “në qëllime, vlera e parimeve, por vetëm në strategji, taktika dhe operacione”. Dallim ky në qëndrim të Departamentit të Shtetit Amerikan që kishte theksuar se qeveria e Kosovës po humb reputacionin si partner i besueshëm.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se hapja e urës mbi lumin Ibër, për qarkullimin e automjeteve do të bëhet bazuar në një plan të cilin qeveria e tij, sikurse tha ai, e ka ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ai shtoi se Prishtina ka zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri dhe në jug të Kosovës, si dhe ka testuar qëndrueshmërinë fizike e teknike të urës mbi Ibër.
Ai tha se në raport me këtë çështje, Kosova synon që në njërën anë të mos i befasojë partnerët e saj, por në anën tjetër, të mos lejojë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht.
Zoti Kurti foli gjithashtu mbi përplasjet me Perëndimin si dhe kritikat e opozitës për mungesë bashkërendimi me aleatët për shumë çështje. Por sipas kryeministrit të Kosovës, dallimet në qëndrime nuk kanë qenë asnjeherë në qëllime, vlera e parimeve, por vetëm në strategji, taktika dhe operacione.
Komentet zoti Kurti i bëri nga mjediset ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate amerikane, i ftuar nga Instituti Kombëtar Demokrat (NDI).
“Nuk besoj që ka kurrëfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë. Ne kemi bërë kontratën më të madhe që është bërë ndonjëherë me Koorporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, 236 milion dollarë, për bateritë dhe energjinë e ripërtëritshme, dhe përveç kësaj jemi duke blerë sistemet anti-tank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse dëshirojmë që të forcojmë ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka bashkë-zbarkuar me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe në çdo aspekt, në tregti, në energji, në ekonomi, dhe pastaj bashkëpunimi jonë me USAID-in e solli vlerësimin e Kosovës me 2B minus, që është vlerësimi i parë nga Fitch Ratings, që është vlerësimi i parë nga një organizatë ndërkombëtare për ekonominë tonë, në arenën ndërkombëtare ekonomike. Bashkëpunimi me SHBA-të është zgjeruar dhe thelluar, mospatimet sporadike, kurrë për vlera parime e qëllime, po nganjëherë, për strategji taktika dhe operacione, bëhen lajme të mëdha. Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë arsye që të jenë krenare me arritjet e Kosovës, më shumë se asnjëherë më parë, e për zhvillimin e ndërtimin e së cilës, kanë kontribuar më shumë se askusht tjetër”.