Kurti: Urime të gjithë besimtarëve të krishterë që kremtojnë sot Pashkën
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e kremtimit të Pashkëve.
Ai ka thënë se festat tradicionale të bashkësive tona, të cilat kahmoti i kemi festuar bashkë, na dëshmojnë se dashuria dhe vëllazërimi mes njerëzve jo vetëm që është i mundshëm, por është vetë qëllimësia e njerëzimit.
“Për ne shqiptarët kjo aksiomë e barazisë është mirëkuptuar historikisht si vëllazëri ndërfetare. Në këtë kuptim vëllazëria fetare është bekim për shqiptarët dhe bekim i shqiptarëve për njërin-tjetrin nën dritën e vëllazërisë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Urime të gjithë besimtarëve të krishterë që kremtojnë sot Pashkën!
Pashka është festë e ngarkuar me domethënien e jetës e cila nuk përfundon, por forcohet, kur jepet për të shpëtuar të tjerët.
Pra, është një mesazh altruist, nga i cili mund të nxirren mësime të vyeshme në një kohë kur cinizmi e nihilizmi përpiqen të bëhen dominantë.
Festat tradicionale të bashkësive tona, të cilat kahmoti i kemi festuar bashkë, na dëshmojnë se dashuria dhe vëllazërimi mes njerëzve jo vetëm që është i mundshëm, por është vetë qëllimësia e njerëzimit.
Besimi i fortë se të gjithë jemi krijuar të barabartë, përbën bazën e qëndrimit se pabarazia e shtypja janë të padrejta.
Për ne shqiptarët kjo aksiomë e barazisë është mirëkuptuar historikisht si vëllazëri ndërfetare.
Në këtë kuptim vëllazëria fetare është bekim për shqiptarët dhe bekim i shqiptarëve për njërin-tjetrin nën dritën e vëllazërisë.
Qofshi të lumtur e të gëzuar në këtë ditë feste!
Urime për Pashkën, të gjithë besimtarëve!