Kurti uron inspektoren e re të FSK-së: Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten
Kryeministri Albin Kurti, ka qëndruar në zyrën e presidentes Vjosa Osmani, pas dekretimit të gjeneralmajores Irfete Spahiu si Inspektore gjenerale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një pozitë që ishte mbajtur nga Komandanti aktual i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Kurti ka thënë se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten.
“Është edhe trasim i rrugës për çdo vajzë që ndjekë këtë drejtim në jetë me guxim dhe vendosmëri. Përderisa festojmë arritjet e gjeneralmajores Irfete Spahiu, kujtojmë të gjitha ato gra të guximshme, që na mësuan sakrificën e dashurinë për vendin e popullin. Në të gjitha periudhat historike, në kohë lufte e paqeje, gratë i kanë shërbyer popullit e vendit tonë me trimëri e dashuri të pakusht.
Në shumë raste kontributi i tyre është harruar, injoruar ose zvogëluar në histori. Forca e Sigurisë së Kosovës është mishërim i së kaluarës së dhimbshme e të lavdishme, dhe i së tashmes sfiduese. Andaj brezat e sotëm dhe të ardhshëm, i nderojnë gratë dhe burrat në uniformë, edhe duke mos e harruar angazhimin e kontributin e brezave të shkuar”, ka shkruar ai.
Kryeministri, ka premtuar angazhim edhe në të ardhmen që përfshirja e grave dhe vajzave në ushtri të jetë mbi bazën e barazisë.
“E ne do të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë për të ardhmen, që përfshirja e grave dhe vajzave në ushtri të jetë në frymën e barazisë dhe kapaciteteve që kanë ato”, ka shkruar Kurti.
Gjeneralmajores Irfete Spahiu, Kurti i ka dëshiruar punë të mbarë e suksese në detyrën e saj “në shërbim të vendit dhe paqes”.