Kurti uron kancelarin Scholz për ditën e bashkimit të Gjermanisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar kancelarin Olaf Scholz dhe popullin gjerman dhe mërgimtarët që jetojnë në Gjermani me rastin e 3 tetorit, Ditës Kombëtare të Gjermanisë, përkatësisht 33-vjetorin e Bashkimit të Gjermanisë.
Kurti ka thënë se Gjermania që jetoi e ndarë për 40 vjet është djep i qytetërimit dhe boshti i ruajtjes së një Evrope të bashkuar brenda dhe jashtë BE-së.
Ai ka thënë se Gjermania ka qenë një nga vendet më mbështetëse ndaj Kosovës që nga vitet ’90-të, ndërsa nga viti 2008, është shteti evropian që ka investuar më së shumti në Kosovën e pavarur.
Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në Ditën Kombëtare të Gjermanisë:
Duke e kujtuar dhe uruar bashkimin e Gjermanisë!3 tetori është Dita Kombëtare e Gjermanisë, përkatësisht Dita e Bashkimit të Gjermanisë, i realizuar 33 vjet më parë, kur më 3 tetor të vitit 1990, dy republikat gjermane u bënë bashkë. Gjermania ishte ndarë në fund të Luftës së Dytë Botërore në katër zona nga aleatët, prej nga derivuan dy republika gjermane: Republika Demokratike Gjermane e formuar në lindje më 7 tetor 1949 dhe Republika Federale e Gjermanisë e formuar në perëndim më 23 maj 1949. Për dyzet vite, populli gjerman jetoi i ndarë në këto dy shtete me ideologji të kundërta, në sfond të bipolarizimit të botës në periudhën e gjatë të Luftës së Ftohtë.
Njëmbëdhjetë muaj para bashkimit, më 9 nëntor 1989, gjermanët e kishin shembur Murin e Berlinit, që për 28 vite rresht kishte qenë simboli i ndarjes së Gjermanisë dhe i botës në dy kampe politike. Më 28 nëntor 1989, Kancelari Helmut Kohl e kishte prezantuar para Bundestagut në Bon, planin e tij 10-pikësh për bashkimin e Gjermanisë, i hartuar në fshehtësi brenda dhjetë ditësh. Ky plan u realizua gjatë dhjetë muajve pasues dhe kulmoi më 3 tetor 1990, kur Republika Demokratike Gjermane iu bashkua Republikës Federale të Gjermanisë.
Atë natë, Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker kishte deklaruar: “Përmes një vetëvendosje të lirë, e kemi kompletuar bashkimin dhe lirinë e Gjermanisë. Ne duam t’i shërbejmë paqes botërore në një Evropë të bashkuar”.
Dhe kështu rezultoi vërtetë, pasi që nga atëherë, Gjermania ka qenë boshti i ruajtjes së një Evrope të bashkuar brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Gjermania e bashkuar është kthyer në garancën kryesore të paqes botërore mes vendeve evropiane, si atëherë kur i është bashkuar ndërhyrjes së NATO-s gjatë luftës në Kosovë më 1999, deri sot kur po i kontribuon rezistencës në Ukrainë.
Gjermania ka qenë një nga vendet më mbështetëse ndaj Kosovës në vitet ’90-të, teksa në një kohë kur regjimi serb e mohonte fare Universitetin e Prishtinës, universitetet gjermane lidhnin marrëveshje me UP-në.
Gjermania është shteti evropian që ka investuar më së shumti në Kosovë pas luftës dhe një nga shtetet e para që e ka njohur shtetin e Kosovës, që më 20 shkurt 2008. Gjermania e ka mbështetur në vazhdimësi Kosovën në shumë fusha si dhe në rrugëtimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ushtarët gjermanë që janë pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë, kontribuojnë çdo ditë në ruajtjen e paqes në vendin tonë. Gjermania është vendi me diasporën më të madhe shqiptare nga Kosova.
Gjermania është vendi i kthyer në shtëpi të sigurt për afër gjysmë milioni bashkatdhetarë të cilët në tre dekadat e fundit, kanë luajtur një rol kyç në jetën dhe zhvillimet sociale dhe politike në Kosovë. Republika Federale e Gjermanisë është adresa kyçe e Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Andaj sot, në 33-vjetorin e Bashkimit të Gjermanisë, dua ta uroj për Ditën Kombëtare kancelarin Olaf Scholz, popullin gjerman, shqiptarët që jetojnë në Gjermani dhe të gjithë ata që besojnë te e drejta demokratike për vetëvendosje dhe te një Evropë e bashkuar!