Kurti uron Policinë e Kosovës: 24 vjet në shërbim dhe mbrojtje

06 shtator 2023 | 13:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Policinë e Kosovës në 24 vjetorin e themelimit.

Kurti ka thënë se që nga themelimi, policia ka shërbyer për mbrojtjen e qytetarëve dhe duke ruajtur sovranitetin e vendit.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Policia e Kosovës sot shënon 24 vjetorin e themelimit të saj. “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” është motoja e këtij përvjetori, e cila më së miri përfaqëson policinë tonë. Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit.

Të gjithë zyrtarëve policor që sot janë në krye të detyrës në çdo cep të Republikës së Kosovës u uroj 24 vjetorin e themelimit të policisë. Bashkë ndajmë sfida e suksese, bashkë do të ngrisim e forcojmë edhe më shumë shtetin tonë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka…