Kurti: Ushtarakët e FSK-së në krah të mijëra ushtarakëve të 25 vendeve të NATO-s
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e hapjes së stërvitjeve ushtarake të ushtrisë amerikane dhe NATO-s në Evropë, “Defender Europe 2023”.
Nga sot e deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe”, që do të mbahet në Babaj të Bokës të Gjakovës.
Në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dhe figura të tjera publike.
Duke ju drejtuar ushtarëve të FSK-së, Osmani ka thënë se ata janë “gardianë të paqes dhe sigurisë, në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese”.
“Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që i kultivojmë”, ka thënë ajo.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kjo është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
“Mbi 1 300 ushtarakë të FSK-së do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake, në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partneret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova do të jetë vendi i katërt – me më së shumti ushtarakë që do të marrin pjesë në këtë stërvitje – në mesin e 25 vendeve pjesëmarrëse.
Më tutje, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se derisa agresioni rus i Ukrainës po vazhdon, është veçanërisht e rëndësishme të vihet në pah një ushtrim si “Defender Europe 2023”.
“Një ndër qëllimet e kësaj stërvitje është që të tregohet aftësia e forcave ushtarake të ShBA-së për të zbatuar shpejt trupat dhe pajisjet e gatshme për luftë, për të siguruar aleatët, për parandaluar ata që mund të kërcënojnë paqen në Evropë dhe për ta mbrojtur këtë kontinent nga agresioni”, ka thënë ambasadori amerikan.
Sipas tij, stërvitjet kanë edhe një qëllim tjetër “që të shfaqë përkushtimin e aleatëve dhe partnerëve tanë evropian për të përmirësuar shkallën, kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë e ushtrive të tyre”.
Ai ka thënë se 9 mijë ushtarakë amerikanë do të marrin pjesë në stërvitjen “Defender Europe 2023”.
Pas fjalëve hyrëse është bërë prezantimi statik i pajisjeve të FSK-së.
Qytetarëve të Kosovës, të dielën, u është bërë e mundshme t’i shohin nga afër një pjesë të njësive, pajisjeve dhe automjeteve të ushtrisë.
Në vitin 2021, Shqipëria ka qenë nikoqire e këtyre stërvitjeve ushtarake.
Stërvitjet e koduara si “Defender Europe” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga ShBA-ja.
Natyra e tyre është mbrojtëse dhe përqendrohet në parandalimin e agresionit.