Kurti: Vaksinimi dhe zbatimi i masave kanë filluar të japin rezultate (video)

10 shtator 2021 | 11:56

Kryeministri Albin Kurti ka folur për situatën me pandeminë në vendin tonë.

Përmes një video-mesazhi në llogarinë e vet në “Facebook”, Kurti ka thënë se rritja e personave të vdekur me virusin Covid-19 dhe e rasteve të reja ishte e befasishme dhe e paparashikuar.

Ai ka thënë se si qeveri marrim përgjegjësinë që i takon dhe janë në krye të detyrës.

Kurti ka theksuar se vaksinimi dhe zbatimi i masave që ka vendosur qeveria kanë filluar të japin rezultate, raporton “Epoka e re”.

“Ekspertët e prisnin një valë të variantit Delta, por jo aq herët e as me rritje aq të shpejtë. Ne morëm masa dhe po veprojmë në kohë reale. Si qeveri çdo herë marrim përgjegjësinë siç na takon dhe jemi në krye të detyrës. Këtë po e bëjmë përditë me përkushtimin më të madh. Sot është dita kur numri i dozave të administruara të vaksinës arrin në shifrën 1 milion. Dy të tretat e këtyre janë për ata që kanë marrë së paku një dozë, kurse një e treta për ata me dy doza. Ka mjaftueshëm doza në stoqe dhe vaksinat tona janë të gjitha të regjistruara në EMA dhe FDA”.

“Vaksinimi dhe zbatimi i masave që ka vendosur qeveria kanë filluar të japin rezultate. Brenda javës së fundit kemi vogëlim të rasteve aktive për 25 për qind. Pozitiviteti i rasteve ka rënë me 6,48 për qind. Numri i pacientëve në spitale ka rënë me 13,4 për qind. Rreziku, vuajtja, dhimbja mbeten mes nesh, ndërkohë që ne po bëjmë çka është e mundur për t’i zvogëluar ato. Përhapja e variantit Delta nuk është progresive por eksplozive. Infektimi sjell rrezik të lartë dhe vaksinimi e zvogëlon atë rrezik deri në 95 për qind”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe kryetari i…