Kurti vazhdon ‘koordinimin’ me ndërkombëtarët
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it i kanë shkuar të martën në zyre kryeministrit Albin Kurti.
Në qendër të takimit ndërmjet Kurtit dhe mysafirëve të tij ishte vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë dhe bashkërendimit të veprimeve të Qeverisë së Kosovës, shefit të BE-së në Kosovë dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Temë bisede në mes të tyre ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, për të cilin Kurti ka thënë se duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Duke biseduar lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, u ritheksua angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, ka njoftuar zyra e Kurtit.