Kurti vazhdon ta kritikojë marrëveshjen e Uashingtonit

07 korrik 2021 | 14:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit, Avdullah Hotit, i cili ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit ka thyer izolimin e Kosovës në fushën ndërkombëtare.

Para deputetëve, Kurti ka thënë se disa pika të asaj marrëveshje janë  antikushtetuese.  “Marrëveshja e Uashingtonit thuhet se na e paska thyer izolimin ndërkombëtar, a vetë në atë tekst kërkohet në pikën e parafundit se do të kemi moratorium 1-vjeçar për mos anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Në fakt është nënshkrim i një qëndrimi antikushtetues. Unë nuk besoj që duhet të kemi liderë institucionalë që do të lavdërohen me shkelje të Kushtetutës me paramendim”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se ishte ish-kryeministri Hoti, i cili ia ka mundësuar presidentit serb të hyj në Shtëpinë e Bardhë.  “Do të ishte e pamundur për Serbinë që kreun e saj shtetëror, pjesëmarrësin e luftërave në ish-Jugosllavi, ministrin e Informatave të Millosheviqit ta mirëpresë pa ia shtruar paraprakisht qilimin e kuq pikërisht dikush nga vendi i viktimave dhe askush më pak se sa kryeministri i atëhershëm. Pra, ky ishte efekti i menjëhershëm i atij nënshkrimi para se të ndodhë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka folur edhe për studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.  “Liqeni i Ujmanit është liqen artificial, liqen nga Kosova, i Kosovës. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizibilitetit të publikuar së fundmi, por jo vetëm. Edhe në studimet e tjera për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarë do pretendimi. Pra, qëndrimi ynë është i qartë, sa më shumë argumente që të gjejmë aq më mirë do të jetë dhe sa më pak sulme që do të ketë për këtë pasuri të Kosovës, sigurisht që aq më mirë do të jetë”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar sot në Kuvend…