Kurti: Vdekja e Fatos Arapit, humbje e madhe për letërsinë e kulturën shqiptare
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen Arapi me rastin e vdekjes së familjarit të tyre, shkrimtarit Fatos Arapi.
Kurti ka thënë se vdekja e Fatos Arapit është humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare
“Me hidhërim dëgjova për lajmin e vdekjes së shkrimtarit, e veçanërisht poetit, Fatos Arapi. I lindur në 1929 në Zvërnecin e bregdetit vlonjat, ai u nda nga jeta sot, në moshën 89-vjeçare, si një ndër poetët kulmorë, për mendimin tim, të gjuhës shqipe. Formimi i tij prej matematikani reflektohet në përkujdesjen për detajin estetik te vargjet e tij, por edhe te thellimi i mendimit dhe braktisja e figuracioneve të lehta e të euforisë. Ngushëlloj familjen dhe lexuesit e tij për humbjen e madhe, që është humbje edhe për letërsinë e kulturën shqiptare. I paharruar, Fatos Arapi!”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/