Kurti: Vendimet e mira të qeverisë sonë po sfidohen nga qeveria koti
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se vendimet e mira të qeverisë së tij po sfidohen nga qeveria koti edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
“Kur Republika e Kosovës gjendet në pozicionin e saj më të dobët ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë, vendime e veprime të parregullta vetëm sa po e rëndojnë situatën duke cenuar potencialin e MPJD-së dhe të shërbimit të jashtëm të Republikës. Ne parashihnim auditimin e gradave diplomatike, ndërsa qeveria koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të ambasadorëve; përderisa ne po realizonim një proces profesional të rotacionit diplomatik, qeveria koti tejzgjatë mandatet e fëmijëve të ministrave dhe të figurave të PDK-së; ne ishim duke vendosur rregull përbrenda ministrisë, qeveria koti me transfere e rrokada sjell njerëz partiak e pa përvojë diplomatike në pozita të larta përbrenda MPJD-së; ne po krijonim hapësirë për diplomatët e karrierës, tash qeveria koti po kthen në shërbim konsuj të paligjshëm partiak”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se sipas modelit të regjimit të vjetër, çmimi i emërimit klientelist u pagua jo rrallë me lobime për pazare personale.
“Prej librit të presidentit deri te projekti për pazare territoriale me Serbinë. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë besnik ndaj Republikës dhe interesave kombëtare. Secili zyrtar i shërbimit të jashtëm ‘borxh’ i ka vetëm atdheut e askujt tjetër”, është shprehur Kurti.
Lideri i LV-së, ka thënë se shërbimi i jashtëm duhet të përbëhet nga diplomatë të disiplinuar dhe me përgatitje të lartë, me dije të gjerë e kulturë të thellë, të cilët punojnë për mbrojtjen dhe përparimin e interesave të vendit e jo të shndërrohet në shërbim familjar që shpenzon buxhetin shtetëror për mirëqenien personale të anëtarëve të partive dhe familjarëve të qeveritarëve.
“Shërbimi i jashtëm nuk është shërbim arsimor e shëndetësor për familjarët e qeveritarëve. Zgjedhjet e reja mundësojnë kthimin e këtyre në gjirin e tyre familjar në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
(M.Q / Epoka e re)