Kurti: Vendimet e paligjshme të qeverisë në periudhën tranzitore do të anulohen
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se periudha nga 6 tetori e këndej po karakterizohet nga keqpërdorimi i skajshëm i vakuumit institucional nga ana e qeverisë në ikje.
Kurti ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se keqpërdorime janë manifestuar në pothuaj të gjitha mënyrat e mundshme që përgjithësisht kanë tri gjëra të përbashkëta: “rehatime të militantëve partiakë e të familjarëve nëpër detyra me përgjegjësi; vështirësimi i punës së qeverisë së re përmes vendosjes në pozita me rëndësi të personave jokompetentë e me potencial bllokues; si dhe, dëmtimi i buxhetit të shtetit”.
Ai ka thënë se vendimet e paligjshme të qeverisë në periudhën tranzitore që shkojnë përtej kompetencave të një qeverie në ikje apo kujdestare do të anulohen dhe vendimmarësit do të thirren në përgjegjësi.
Shkrimi i plotë i tij:
Periudha nga 6 tetori e këndej po karakterizohet nga keqpërdorimi i skajshëm i vakuumit institucional nga ana e qeverisë në ikje. Keqpërdorime janë manifestuar në pothuaj të gjitha mënyrat e mundshme që përgjithësisht kanë tri gjëra të përbashkëta: rehatime të militantëve partiakë e të familjarëve nëpër detyra me përgjegjësi; vështirësimi i punës së qeverisë së re përmes vendosjes në pozita me rëndësi të personave jokompetentë e me potencial bllokues; si dhe, dëmtimi i buxhetit të shtetit.
Vendimi për bartjen e stafit të ministrive të caktuara në objekte private me shuma marramendëse të qirasë mujore; emërimet e paligjshme nëpër shërbime diplomatike; tentativa për të shtyrë përpara një proces tejet të korruptuar dhe të dyshimtë të emërimit të noterëve; gradimet nëpër ministri, ndërmarrje publike dhe agjencione qeveritare, janë disa nga vendimet e dëmshme dhe joligjore të qeverisë në ikje. Ashtu siç qeverisën pa dije e me korrupsion, ashtu duan edhe të ikin.
Është shumë me rëndësi që të potencojmë për të satën herë me sa vijon:
1. Vendimet e paligjshme të qeverisë në periudhën tranzitore që shkojnë përtej kompetencave të një qeverie në ikje apo kujdestare do të anulohen dhe vendimmarësit do të thirren në përgjegjësi.
2. Qeveria e re është qeveri e ndryshimit. Hapi i parë drejt ndryshimit do të jetë zvogëlimi thelbësor i numrit të ministrive dhe agjencioneve të pavarura. Në këtë kontekst, do të ketë nevojë për riorganizim të plotë të strukturës organizative të ministrive, andaj çfarëdo vendimi për punësim, risistemim apo gradim në këtë moment është i pavend dhe si i tillë do të pamundësohet. Sidomos tani që jemi në pritje të çështjes së ligjit të ri për zyrtarë publikë.
3. Qeveria e re ka si prioritet mbi prioritetet zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare. Do të fillojmë me objektivin që asnjë institucion publik të mos vendoset nëpër objekte private. Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për të përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private.
4. Qeveria në ikje posaçërisht duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre.
Njëkohësisht dua të siguroj të gjithë qytetarët që jam duke punuar me vullnetin dhe energjinë më të madhe që vakuumi institucional të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që sa më parë të fillojmë konkretizimin e shpresës që kemi ngjallë te qytetarët me fitoren e 6 tetorit. Do kërkoj edhe nga partnerët qeverisës që sa më parë të finalizojmë të gjithë hapat drejt nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje.