Kurti vetëm deshi të sqarojë se Liqeni i Ujmanit s’është natyror
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së), Përparim Kryeziu, ka thënë në emisionin DPT te Fidani në T7, se Liqeni i Ujmanit i takon plotësisht Kosovës dhe ai është ndërtuar pasi Kosova kishte blerë të gjithë sipërfaqen tokësore ku gjendet ky liqen artificial.
“Nuk ka rëndësi që një pjesë e vogël e liqenit të Ujmanit është në Serbi. Ai është ndërtuar nga Kosova. Ai është ndërtuar nga Kosova për Kosovën. 2.7 kilometra janë shpronësuar nga Kosova me vlerë prej 10.7 milionë dollarësh. Së pari. Së dyti, ai liqe artificial nuk do të kishte vlerë po të mos ishte diga në anën e Kosovës”, tha ai.
Ai e shpjegoi edhe statusin e liderit të LV-së, Albin Kurti, publikuar në “Facebook”.
“Albin Kurti deshi t’ia bëjë të ditur opinionit publik se liqeni është artificial dhe nuk është liqe natyror. Avdullah Hoti zakonisht po i përmend me shkujdesje totale dhe pa pikë kompetence liqenet e Shkodrës dhe atë të Ohrit. Kjo nuk ka lidhje me çështjen e Liqenit të Ujmanit”, shtoi ai.