Kurti: Vetëvendosje është për të drejtat e punëtorëve dhe zhvillimin e Trepçës
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Sindikatës së Trepçës dhe anëtarin e Bordit të Trepçës, Shyqyri Sadikun, si dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka biseduar për gjendjen aktual në Trepçë.
Më këtë rast, Kurti ka thënë se statuti i Trepçës që e ka miratuar Qeveria e Kosovës ditë me parë nuk është as në shërbim të interesit zhvillimor të Trepçës dhe as të të drejtave sociale të punëtorëve.
“Asete të shumta të Trepçës duan t’i shpijnë në likuidim kurse minatorëve nuk duan t’ua njohin stazhin e punës gjatë viteve 1990-1999. Lëvizja Vetëvendosje është në anën e punëtorëve, për të drejtat e tyre dhe për zhvillimin e Trepçës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Statuti i Trepçës që e ka miratuar Qeveria e Kosovës ditë me parë nuk është as në shërbim të interesit zhvillimor të Trepçës dhe as të të drejtave sociale të punëtorëve. Kjo ishte tema e takimit që pata sot me kryetarin e Sindikatës së Trepçës dhe anëtarin e Bordit të Trepçës, z. Shyqyri Sadikun, dhe bashkëpunëtorët e tij, z. Gani Osmanin, sekretar i Sindikatës së Trepçës dhe minator në Stan Tërg, dhe, z. Haxhi Qerimin, kryetar i Sindikatës së Fabrikës së Municionit në Skenderaj. Me drejtuesin e Komitetit Profesional të Lëvizjes Vetëvendosje për Industrinë, z. Nazmi Mikullovci, dhe me koordinatoren e Komiteteve tona Profesionale, znj. Dejona Mihali, dëgjuam shqetësimet e arsyeshme të Sindikatës, versioni i së cilës për Statutin e Trepçës është shpërfillur nga kryeministri dhe Qeveria. Asete të shumta të Trepçës duan t’i shpijnë në likuidim kurse minatorëve nuk duan t’ua njohin stazhin e punës gjatë viteve 1990-1999. Lëvizja Vetëvendosje është në anën e punëtorëve, për të drejtat e tyre dhe për zhvillimin e Trepçës.
/Epoka e re/