Kurti: Vetëvendosje mund të vijë shumë shpejt në pushtet
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Në fillim të kësaj mbledhje, kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe brenda kësaj lëvizje.
Kurti duke iu referuar të larguarave të Vetëvendosje, ka thënë se ata kanë dështuar ta shkatërrojnë partinë e drejtuar nga ai
“Ishim një hap para fitores, kur e morëm një goditje të rëndë e të mirë organizuar, nga brenda e nga jashtë. Por aktivistët dhe qytetarët kësaj radhe u treguan më të mençur e më të organizuar se ata që dëshiruan ta shkatërrojnë Lëvizjen Vetëvendosje, dhe, ja ku jemi, sërish vetëm një hap larg fitores. Organizata jonë në terren, anëtarësimet e reja si asnjëherë më parë, sondazhet dhe studimet e opinionit publik e konfirmojnë këtë”, ka thënë Kurti.
Fjala e plotë e Kurtit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm:
Të nderuar aktivistë, delegatë të Këshillit të Përgjithshëm (KP),
Të nderuar gazetarë të medies,
Më lejoni t’jua uroj edhe unë mirëseardhjen, në të njëjtën frymë me kryesuesin e Këshillit. Për shtatë vjet kemi mbajtur 33 mbledhje të KP-së, të këtij organi më të lartë të Lëvizjes sonë, njëri nga aspektet ky që dëshmon se Lëvizja Vetëvendosje (LV) është jo vetëm subjekti më politik por edhe subjekti më demokratik në vendin tonë.
Në këtë mbledhje të KP, të 33-tën me radhë, përveç tjerash, do ta kompletojmë kryesinë tonë që do t’i ketë 23 anëtarë gjithsej përfshirë edhe mua aty, si dhe do të plotësojmë me anëtarë të rinj katër komisione të LV:
– Komisionin Zgjedhor të Përgjithshëm,
– Komisionin Statutor,
– Komisionin Diciplinor, dhe,
– Komisionin për Shqyrtime dhe Ankesa.
Të dashur aktivistë,
Gjatë tre muajve të shkuar, që prej mbledhjes së kaluar, ka ndodhur shumëҫka në politikë, e megjithatë, nga këndvështrimi i një qytetari, pra nëse e pyet një qytetar të Kosovës sot se çfarë ka ndodhur këto tre muaj, ai do të thotë “asgjë”.
Nga perspektiva e qytetarit nuk ka ndodhur “asgjë”, edhe pse është organizuar me spektakël të madh arrestimi i Gjuriqit, edhe pse me një kontratë shumë të dyshimtë e jotransparente po e shesin të drejtën e shfrytëzimit të thëngjillit në Kosovë, edhe pse po e falimentojnë Postën me qëllim për ta privatizuar, edhe pse u zbulua se populli po ushqehet me mish e ushqime të prishura prej tregtarëve e importuesve të mëdhenj. Po ashtu, i kanë falur 8.200 hektarë, me premtimin e rrejshëm se do të na liberalizoheshin sakaq vizat.
Janë arrestuar e po mbahen në burg tash e një muaj aktivistët Pajtim Demaj, Kreshnik Gega, Korab Muhadri, Endrit e Januz Shatri, Hajredin Krasniqi si dhe Prof. Sadri Ramabaja delegat në këtë Këshill të Përgjithshëm i burgosur tash e shtatë muaj.
Pra, nuk ka ndodhur pak. Por, të gjitha këto që kanë ndodhur vazhdojnë thellimin në të njëjtën situatë, vazhdimin në të njëjtën rrugë ku Kosovën e kanë futur qeveritë antikombëtare e neoliberale.
Prandaj asnjëra nga këto gjëra nuk skandalizon më, sepse janë vazhdim i së njëjtës. Nuk kemi pritur ndryshe nga këta pushtetarë.
Spektakli i organizuar me arrestimin e Gjuriqit, erdhi pas darkave të përzemërta të Thaҫit me Vuҫiqin. E menjëherë pasi e arrestuan, Gjuriqin e lëshuan, dhe e pajisën me leje për të ardhur sërish në Kosovë sa herë që të dojë dhe të dirigjojë me strukturat e Serbisë në Kosovë. I vetmi produkt politik i atij arrestimi, ishte reagimi i Listës Serbe që tha se do të veprojë njëanshëm për të ndërtuar “Zajednicën”.
Përgjigjja e shtetit të Kosovës ndaj Listës Serbe nuk ishte aspak në të njëjtën frymë me arrestimin e Gjuriqit, pra me ndaljen e atij që cenon integritetin territorial e ligjor, përkundrazi. Pushtetarët po hyjnë në marrëdhënie me Listën Serbe, me synim për të na e kthyer “Zajednicën” në temë, për ta implementuar atë.
Si zakonisht, bëjnë taktika për t’iu shmangur reagimit popullor. Dëshirojnë ta sjellin “Zajednicën” në gusht, kur Kuvendi është në pushim e kur qytetarët janë të shpërqendruar nga politika, sepse janë duke pritur të afërmit e tyre që vijnë nga jashtë vendit, janë duke organizuar dasma, apo kanë shkuar në plazh.
Politikë e ulët e qeverive frikacake, kjo është qeveria e tashme sikurse ato të mëparshmet, që sjellin vendime të cilat shkatërrojnë sovranitetin e Kosovës, në një kohë kur praktikisht e gjithë politika është e suspenduar. Vlen të kujtojmë këtu se njësoj, në gusht të vitit 2015, Thaçi e Mustafa i nënshkruan marrëveshjet katastrofale, për të mos u përballur me Kuvendin e me popullin.
Mirëpo “Zajednica” është e papranueshme. Ne duhet të bëjmë çmos që t’i dalim përpara kësaj situate, e të mos lejojmë bosnjëzimin e Kosovës. “Zajednica” nuk është organizatë joqeveritare, ajo është organizatë qeveritare, por jo e qeverisë sonë. Është e qeverisë së Serbisë me miratimin dhe bekimin e qeverisë së Kosovës.
Të nderuar delegatë,
Pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet e ndryshme evropiane i kanë normalizuar marrëdhëniet në kushtet kur nuk kishin më pretendime territoriale dhe kishin njohje reciproke. Kjo pra është rruga evropiane: njohja reciproke dhe pushimi i pretendimeve territoriale.
Gati dy dekada pas çlirimit e një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dështuar në rrugën në integrimin evropian, sepse Thaçi e kërkoi këtë rrugë kah Beogradi në biseda e në ujdi me Daçiqin e Vuçiqin. Pra, e kërkoi rrugën evropiane në terr dhe gjeti veçse terr pa rrugë.
Në dialogun e paralajmëruar me Serbinë, nuk mund të udhëheq ky presidenti aktual. Ai, në njërën anë, i frikësohet shumë Gjykatës Speciale të cilën e ka imponuar me trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët e PDK-së. Në anën tjetër, ai do që të vazhdojë dialogu i deritanishëm që është trashëgimi e tij dhe ta legjitimojë atë trashëgimi. E, ky dialogu gjashtëvjeçar me Serbinë është zhvilluar sipas kushteve të Serbisë. Dialogu i ri tash duhet të bëhet vetëm sipas kushteve të Kosovës.
Serbia përherë ka konsideruar se duhet të ballafaqohet me fqinjtë (në të ardhmen dhe për këtë është përgatitur). Mbase koha e fundit është tani që ajo të ballafaqohet me vetveten (me të kaluarën e vetvetes). Pranvera në Kosovë nuk vjen vetëm vetëm me lulëzim e gjelbërim, por edhe me kujtimet e masakrave e dhunimeve, deportimit e plaçkitjeve, djegieve e varrezave. Nuk ka as pranim e keqardhje, pendesë e kërkimfalje në Serbi për këto. Serbia duhet të ndryshojë e jo të normalizohet kështu siç është.
Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo do të detyrohet ta njohë Kosovën një ditë. Prandaj, le të mos ia japim “Zajednicën” dhe le të mos i bëjmë koncesione të tjera asaj paraprakisht.
Kjo qeveri aktuale, e cila nuk i ka numrat, po mbahet në pushtet vetëm e vetëm për të kryer punën e keqe me “Zajednicën” siç e kreu me demarkacionin. Dhe këtë qeveri po e mbajnë në pushtet votat e pseudo-opozitarëve. Do të duhej që kjo qeveri ta humbte mbështetjen në parlament sa më parë, sepse vetëm kështu do ta ndalnim implementimin e këtyre projekteve vrasëse për shtetin e Kosovës dhe ardhmërinë e qytetarëve. Dhe sa më shpejt duhet të shkohet në zgjedhje të reja.
Sa i përket koncesionit të thëngjillit e privatizimit të Postës, këto janë vetëm hapat e radhës së agjendës abuzive neoliberale. Kjo agjendë është agjendë plaçkitëse, agjendë ekstraktuese. E ka vjedhur dhe e ka shkatërruar pasurinë e përbashkët të Kosovës.
E ka pamundësuar punësimin dhe zhvillimin. Dikur i shkatërronin me forcë industritë e kompanitë publike, për t’i nxjerrë lirë në treg. Sot këtë nuk mund ta bëjnë më aq hapur, kështu që fillimisht i mbushin kompanitë publike me punëtorë e sidomos me drejtues të pakualifikuar, nga radhët e partive, e më pas presin thjesht që kompania të dështojë siҫ është e pritshme, e pastaj ujqit privatizues janë gati që ta copëtojnë.
Privatizim i këtillë po prodhon multimilionerë në qarqet afër pushtetit. Njëkohësisht po prodhon varfërim, papunësi, humbje shprese dhe emigrim tek masat popullore. Meqenëse Vetëvendosje është e popullit, ne duhet ta ndalim këtë.
Ishim një hap para fitores, kur e morëm një goditje të rëndë e të mirëorganizuar, nga brenda e nga jashtë. Por aktivistët dhe qytetarët kësaj radhe u treguan më të mençur e më të organizuar se ata që dëshiruan ta shkatërrojnë Lëvizjen Vetëvendosje, dhe, ja ku jemi, sërish vetëm një hap larg fitores.
Organizata jonë në terren, anëtarësimet e reja si asnjëherë më parë, sondazhet dhe studimet e opinionit publik e konfirmojnë këtë. Me pak më shumë punë nga ne e nga ju, me seriozitet e përkushtim, Lëvizja mund të vijë shumë shpejt në pushtet. Mbështetja popullore ekziston dhe është masive, është detyra jonë ta strukturojmë atë, ta forcojmë e ta rrisim atë duke punuar dhe duke u angazhuar në organizatën tonë dhe jashtë saj.
Në Kosovë nuk është përmbyllur shtetndërtimi sepse nuk ka demokraci në institucione dhe sepse ka kapje të shtetit gjithandej. Në Kosovë nuk është bërë zhvillimi ekonomik sepse nuk ka prodhim e punësim dhe sepse ka nepotizëm dhe krim.
Vetëm me shtrim asfalti, shitblerje patundshmërish, ndërtime banesash që shiten shtrenjtë ose nuk shiten fare, nuk ka progres shoqëror.
Nuk mund t’ia sjellim mirëqenien shoqërisë pa ia kthyer prodhimin ekonomisë. Këtë e bën LV-ja sepse kështu e thotë Alternativa e saj Qeverisëse. Me LV-në në qeverisje nuk do të ketë pushtet që privatizon por shërbim që zhvillon. Me LV-në në qeverisje Republika e Kosovës bëhet shtet e shoqëri për të gjithë, për secilin, për shumicën dhe jo vetëm për disa. Për gra e burra, për fshat e qytet, për të rinj e pleq, pa dallim përkatësie kombëtare e fetare.
Prodhimi vendor është mendimi dhe puna e një populli, prandaj dhe ekonomia e tij. Atdheu është vendi i duhur ku mendimi dhe puna të mbështetura nga qeveria, marrin vlerën e zhvillimit. Mbështetja për prodhimet e Kosovës do të jetë detyra jonë dhe shpëtimi ynë.
Kosovës i nevojitet një qeveri tjetër e cila mund dhe duhet ta mbajë një popull në kushtin e prodhimit e të krijimit dhe kështu nuk shitet më asnjë votë e nuk kuturisemi më nëpër azile.
Tash kemi disa tajkunë dhe shumë konsumatorë të varfër. Ne duam të qeverisim vendin në të kundërtën e kolapsit tregtar të shoqërisë. Do të shquajmë mes linjave të prodhimit që e shpejtojnë daljen nga kriza ku ndodhemi dhe do të synojmë rishpërdarje, për ata që kanë më pak do të japim më shumë. Ne e duam prodhuesin, ne e duam ndërmarrësin privat, e duam edhe tregtarin. Ne nuk e duam oligarkun. Andaj kemi plan e program për prodhuesit vendor e masa mbështetëse për ndërmarrësit e tregtarët e vegjël e të mesëm.
Liria dhe demokracia pa shtetin e mirëqenies janë veçse të drejta formale dhe premtime elektorale. Kur je i varfër sëmuresh (kollaj sepse ushqehesh dobët dhe nuk ke banim e arsimim të duhur). Kur sëmuresh varfërohesh (kollaj sepse kujdesi mjekësor e barnat janë shumë të shtrenjta).
Kemi nevojë për sigurime shoqërore, për sigurime shëndetësore, që i bëjnë njerëzit edhe të jenë edhe të ndjehen edhe të sigurt edhe të shëndetshëm. Kemi nevojë për solidaritet midis të rinjve dhe të moshuarve si dhe midis brezit tonë dhe gjeneratave të ardhshme. Kjo nënkupton kujdes për ambientin, borxhin publik, arsimimin dhe infrastrukturën.
Të gjitha këto dhe shumë e shumë të tjera i kemi menduar e i kemi shkruar. Të gjitha këto dhe shumë e shumë të tjera do t’i zbatojmë e do t’i realizojmë. Për progres kombëtar dhe emancipim shoqëror. Për liri dhe demokraci. Për bashkim dhe social-demokraci.
Sot, pikërisht me 6 maj, kujtojmë edhe rënien e heroit Luan Haradinaj si dhe vrasjen e Prof. Fehmi Aganit. Sot, pikërisht me 6 maj, shënojmë edhe ditëlindjen e heroit tonë kombëtar Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes së tij.
E tash jemi edhe në prag të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. As Kosova pa Shqipërinë dhe as Shqipëria pa Kosovën nuk mund t’ia dalin në Ballkan e për Evropë. Bashkë fitojmë! Bashkë është e mundshme! Bashkë do të fitojmë!
Punë të mbarë sot. Punë të mbarë për jetë e mot.
Ju falemnderit.