Kurti: Vetingu në Kosovë mund të përfitojë shumë nga përvoja dhe mësimet e Shqipërisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë pritur sot në takim ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja.
Në fokus të takimit ishte diskutimi për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë.
Gjatë takimit u diskutuan shembujt praktikë dhe sfidat konkrete në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në të dy vendet.
Kryeministri Kurti ka thënë se synimet tona dhe përvoja e Shqipërisë përbëjnë një kuadër të rëndësishëm të bashkëpunimit.
Ai ka thënë se vetingu në Kosovë mund të përfitojë shumë nga përvoja dhe mësimet e Shqipërisë.
Duke u shprehur falënderues për mikpritjen, ministri Manja u shpreh se Shqipëria do të ofrojë ekspertizën më të mirë në ato fusha ku Shqipëria ka shënuar sukses, por në të njëjtën kohë u shpreh i interesuar për të marrë edhe nga përvojat e Kosovës në fushat ku kjo e fundit ka bërë më shumë progres.
Kryeministri Kurti dhe ministri Manja u pajtuan se drejtësia dhe sundimi i ligjit janë themele të sigurta që garantojnë mirëqenie të qytetarëve.
Ministritë e Drejtësisë së të dyja vendeve tashmë përveç grupeve teknike që funksionojnë në shërbim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e drejtësisë, tash e tutje do të kenë edhe një person në nivel të kabineteve politike, përgjegjës për mbulimin e të gjitha komunikimeve ndërmjet dy ministrive.