Kurti: Vizita e Scholzit, dëshmi e marrëdhënieve tona të forta
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” për vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë.
Kurti këtë vizitë të Scholzit e quajti historike dhe dëshmi e marrëdhënieve të forta si dy vende partnere.
“Pata kënaqësinë e veçantë që në vizitën e parë të një kancelari gjerman në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ta mirëpres Kancelarin Scholz në Aeroportin “Adem Jashari”, të parakalojmë bashkë në ceremoninë pritëse me nderime të larta shtetërore, të bisedojmë në një takim tête-à-tête, të diskutojmë me delegacionet tona shtetërore, dhe t’i drejtohemi popullit të Republikës nëpërmjet një konference të përbashkët për media”.
“Vizita e sotme e kancelarit gjerman ishte historike. Përveçse e para e tillë që nga shpallja e pavarësisë, ishte dëshmi e marrëdhënieve tona të forta si dy vende partnere dhe aleate për njëra-tjetrën, të lidhura me vlera të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, në një moment përcaktues për rajonin dhe kontinentin tonë. Vielen Dank, Bundeskanzler Scholz”, ka shkruar Kurti.