Kurti vizitoi AShNA-n, vlerësohet si domosdoshmëri zgjatja e pistës

02 shkurt 2022 | 15:13

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin e Hysen Durmishi, ka vizituar Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Bashkëpunimi për ta avancuar sistemin për Menaxhimin e Trafikut Ajror, ishte në qendër të takimit me Samir Bllacaku, drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe menaxhmentin e kësaj agjencie.

Kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë që ka Menaxhimi i Trafikut Ajror, në mënyrë që Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe kontrolli ynë ajror, të arrijë në nivel të shteteve evropiane.

“Do të bashkëpunojmë në muajt e vitet në vijim, në mënyrë që këtë agjenci shumë të rëndësishme për infrastrukturën, për trafikun, për sigurinë dhe për sovranitetin e Republikës së Kosovës, ta shpijmë edhe më tej drejt arriturave të reja”, ka thënë Kurti.

Në veçanti, kryeministri ka vlerësuar mbështetjen e partnerëve dhënë për AShNA-n, duke veçuar kontributin e NATO-s dhe KFOR-it.

Ai ka shprehur bindjen që nëpërmjet bashkëpunimit të mëtutjeshëm do të përmbushen standardet më të larta, kriteret e Bashkimit Evropian.

Drejtori Samir Bllacaku ka bërë me dije për përgatitjet teknike dhe profesionale që janë duke u bërë, në mënyrë që në të ardhmen të merret kontrolli i hapësirës së lartë ajrore, të asaj që është mbi 6250 metra.

Nga kjo vlerësohet se përfitimet financiare si shtet të jenë ndërmjet 6 dhe 7 milionë euro në vit.

U vlerësua hapja e dy korridore të reja me Republikën e Shqipërisë që ka mundësuar shkurtimin e udhëtimit për në Vjenë për rreth 15 minuta, meqenëse më nuk është i nevojshëm kalimi në hapësirën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, çfarë ishte rasti më herët.

Mes të arriturave u theksuan edhe zgjatja e pistës, dhe niveli 3B i sistemit të aterrimit, si nivel shumë i avancuar.

Për të parë nga afër procesin e vëzhgimit dhe mbikëqyrjes, kryeministri Kurti vizitoi Kullën e Trafikut Ajror, Departamentin e Meteorologjisë, dhomën e operimeve dhe dhomën e monitorimit të pajisjeve aeronautike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se gjatë 24 orëve…